Hapet tenderi 90 milionë euro për ndërtimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë
BE financon me 60.5 milionë euro grant dhe 30 milionë euro hua rehabilitimin e 34 kilometrave linjë hekurudhore strategjike.
Procedurë ndërkombëtare për segmentin kyç
Hekurudha Shqiptare ka çelur procedurën ndërkombëtare të prokurimit për rehabilitimin e linjës Durrës–Rrogozhinë, një nga segmentet më të rëndësishme të rrjetit kombëtar. Njoftimi është publikuar në platformën zyrtare të Bashkimit Evropian për prokurimet publike (TED), me procedurë të hapur dhe afat për dorëzimin e ofertave në qershor 2026.
Projekti financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian, përmes një marrëveshjeje të nënshkruar në prill të vitit të kaluar, që përfshin 60.5 milionë euro grant nga Korniza për Investimet në Ballkanin Perëndimor dhe 30 milionë euro hua nga Banka Europiane e Investimeve. Fondi total i kontratës arrin në 90 milionë euro.
Çfarë përfshin projekti
Rehabilitimi përfshin rreth 34 kilometra linjë, nga zona pranë stacionit të Shkozetit (km 1+876) deri në stacionin e Rrogozhinës. Projekti parashikon rindërtimin e trasesë hekurudhore, ndërhyrje në ura dhe vepra arti, si dhe modernizimin e sistemeve të sinjalistikës dhe telekomunikacionit sipas standardeve evropiane të sigurisë.
Punimet përfshijnë gjithashtu rikonstruksionin e stacioneve përgjatë itinerarit dhe përgatitjen e infrastrukturës për elektrifikim në një fazë të mëvonshme. Linja nuk do të elektrifikohet menjëherë, por do të krijohen kushtet teknike për këtë hap në të ardhmen.
Segmenti kalon në zona urbane, gjysmë-urbane dhe rurale. Nga Shkozet–Plepa përshkon një zonë me dendësi të lartë popullsie dhe përfshin nyjën e rëndësishme ku takohen linjat Tiranë–Durrës dhe Durrës–Rrogozhinë. Më tej, traseja ndjek kryesisht autostradën Durrës–Rrogozhinë, përpara se të hyjë në terren kodrinor pranë Rrogozhinës, ku ndodhet edhe tuneli 380 metra i gjatë.
Rëndësia strategjike për rajonin
Linja Durrës–Rrogozhinë konsiderohet hallkë kyçe për lidhjen e portit të Durrësit me korridoret rajonale të transportit, veçanërisht Korridorin VIII, si dhe për integrimin gradual të Shqipërisë në rrjetin hekurudhor evropian.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së financimit, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, e cilësoi këtë segment si të rëndësishëm jo vetëm për tregtinë, por edhe për sigurinë, duke theksuar rolin e tij në mobilitetin ushtarak në Evropën Juglindore, në kontekstin e sfidave aktuale të sigurisë.
Modernizimi i kësaj linje pritet të rrisë kapacitetin për transportin e mallrave dhe pasagjerëve, duke forcuar pozicionin e portit të Durrësit si nyjë strategjike për ekonominë shqiptare dhe rajonale.